Urat e Shpirtit: Diaspora si Boshti i Ri i KombitMërgimi ka ndryshuar faqe. Ai nuk është më thjesht një histori ikjeje, malli dhe sakrifice të heshtur në kërkim të një jete më të mirë. Sot, diaspora jonë është shndërruar në një forcë vitale, në një rrjet vlerash, sipërmarrësish, artistësh dhe profesionistësh që po ndryshojnë rrënjësisht imazhin tonë në botë. Ajo është mushkëria që mban gjallë lidhjen me rrënjët, por edhe ura kryesore përmes së cilës atdheu komunikon me botën moderne.Por kjo histori nuk nisi sot. Ajo ka fytyrën e gjeneratës së vjetër — të atyre që erdhën të parët në tokë të huaj, shpesh me pak mjete, me gjuhë të panjohur dhe me zemër të mbushur me mall. Janë ata baballarë e ato nëna fisnike, punëtorë të heshtur e të palodhur, që bartën mbi supe barrën e familjes, sakrifikuan rehatinë, vitet dhe shpesh even vetminë, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre. Me djersë, ndershmëri dhe dinjitet, ata ngritën themelet mbi të cilat qëndron sot diaspora shqiptare.Pas tyre erdhi brezi i dytë — fëmijët që u rritën mes dy botëve, mes gjuhës së prindërve dhe realitetit të vendeve ku jetuan, shpesh duke bartur sfidën e dy identiteteve, por duke e kthyer atë në forcë. Ata u bënë ura lidhëse mes kulturave, profesionistë, qytetarë aktivë dhe mbrojtës të natyrshëm të rrënjëve të tyre.Ndërsa sot, brezat e rinj — i treti dhe i katërti — po e shkruajnë një kapitull të ri. Janë ato vajza e ata djem që me dije, talent, sipërmarrje, etikë pune dhe sukses po nderojnë familjet e tyre, shoqëritë ku jetojnë dhe atdheun e origjinës së prindërve e gjyshërve të tyre. Në universitete, institucione, biznese, art, sport, shkencë apo jetë publike, ata po dëshmojnë se identiteti nuk është pengesë, por pasuri.Në këtë epokë të globalizimit, kufijtë gjeografikë kanë rënë. Një shqiptar në Nju Jork, Berlin, Londër apo Cyrih ndan të njëjtat shqetësime, të njëjtat gëzime dhe të njëjtin vullnet për të parë vendlindjen të përparojë. Ky komunitet i madh, i shpërndarë në çdo cep të globit, nuk kontribuon më vetëm përmes dërgesave financiare familjare. Sot flasim për një remitancë të re: atë të dijes, të përvojës dhe të standardeve të reja të punës, që po investohen çdo ditë në projektet tona të përbashkëta.Gazeta “Impuls” lind nga nevoja për të krijuar një hapësirë ku zëri juaj të dëgjohet qartë dhe pa filtra. Ne marrim përsipër misionin për të qenë me ju — pranë historive, shqetësimeve, sukseseve dhe shpesh shpresave tuaja, duke pasqyruar këtë rrugëtim të jashtëzakonshëm të diasporës sonë. Këtu do të gjeni historitë e suksesit të atyre që ia dolën nga e para në rrugë të huaj, duke u bërë model frymëzimi. Këtu do të ngrihen shqetësimet për ruajtjen e gjuhës shqipe te brezat e rinj, për sfidat e integrimit dhe për burokracitë që shpesh pengojnë dëshirën për të investuar në vend.Por, mbi të gjitha, ky editorial është një ftesë e hapur për bashkëpunim. Ne nuk duam thjesht të shkruajmë për ju; ne duam të shkruajmë bashkë me ju. Kjo hapësirë e pafund do të shërbejë si një Kuvend modern, ku idetë mund të gjejnë terren dhe ku bashkatdhetarët mund të lidhen me njëri-tjetrin, pavarësisht distancave.Diaspora nuk është thjesht një pjesë e kombit jashtë kufijve. Ajo është vetë kombi në lëvizje, kujtesa e sakrificës së të parëve, energjia e brezit të dytë dhe shpresa krijuese e brezave të rinj. Ju jeni ambasadorët tanë më të mirë — ata që me punë të ndershme, dije dhe talent po lartësoni emrin tonë çdo ditë.